Ndodheni
Indeksonline / Shëndetësi
16:39 / E premte, 10 Shkurt 2012
2 Komente
Semundja e Parkinsonit



Nga Dr. Brunilda Zllami                       
Neurologe
SPITALI AMERIKAN TIRANË

038 221 661
www.spitaliamerikan.com
facebook.com/spitaliamerikan


Sëmundja e Parkinsonit u përshkrua për herë të parë në vitin 1817 nga Dr. Xhejms Parkinson, një mjek britanik. Eshtë një sëmundje kronike, progresive, degjenerative e trurit. Ndodh kur disa qeliza nervore, të një pjese të trurit, që quhet Substantia Nigra, dëmtohen, ose vdesin. Normalisht këto neurone prodhojnë një produkt kimik të njohur si dopaminë. Dopamina ndihmon në koordinimin dhe lëvizjen e muskujve të trupit. Kur rreth 80% e qelizave që prodhojnë dopaminë dëmtohen ose vdesin, shfaqen simptomat e sëmundjes.

Kush preket nga sëmundja e Parkinsonit?

Sëmundja e Parkinsonit prek njësoj si meshkujt edhe femrat. Është treguar se sëmundja nuk njeh kufij socialë, ekonomikë, etnikë, apo gjeografikë. Sëmundja diagnostikohet rreth moshës 65 vjeç dhe vetëm15% diagnostikohet nën 50 vjeç.

A është sëmundja e Parkinsonit e trashëguar?

Ka një histori familjare me sëmundjen e Parkinsonit në 10% të rasteve. Mund të prekë më tepër njerëz të një gjenerate (psh. motër, vëlla) ose në dy gjenerata (baba, bir). Toksinat ambientale si magnezi, monoksidi i karbonit dhe rrallë disa pesticide mund të shkaktojnë një sëmundje që ngjan me sëmundjen e Parkinsonit, megjithatë shumica e pacientëve që vuajnë nga kjo sëmundje nuk janë të ekspozuar ndaj këtyre toksinave. Në më pak se 1% sëmundja është krejtësisht familjare. Disa mutacione gjenetike janë zbuluar të jenë shkak i sëmundjes në disa familje, por këto nuk gjenden në shumicën e atyre që vuajnë nga Parkinsoni. Studimet në binjakët identikë, nga të cilët njëri ka shfaqur sëmundjen, nuk kanë treguar ndryshime nga popullsia normale e pacientëve mbi 60 vjeç. Megjithatë edhe në binjakët identikë me të rinj se 50 vjeç, nëse njeri ka sëmundjen edhe tjetri ka risk të shtuar që ta ketë në të ardhmen. Kjo tregon se trashëgimia ka rol në rastet kur sëmundja shfaqet në moshë të re. Sëmundja e Parkinsonit, sipas studiuesve, në shumicën e individëve reflekton një kombinim mes faktorëve gjenetike dhe atyre mjedisorë.

Si diagnostikohet sëmundja  e Parkinsonit?

Proçesi i diagnostikimit mund të jetë i vështirë, sepse nuk ka imazheri, apo analiza që mund të konfirmojnë plotësisht sëmundjen e Parkinsonit. Neurologu arrin në diagnozë pas egzaminimit klinik. Testet e gjakut dhe imazheria performohen që të përjashtojnë sëmundje të tjera që mund të prezantohen me të njëjtat simptoma. Personat e dyshuar për sëmundjen e Parkinsonit duhet të kryejnë patjetër vizitën e neurologut për diagnostikimin dhe trajtimin e mëtejshëm.

Çfarë mund të jetë tjetër nëse nuk  është Parkinson?
Ka shumë shkaqe të tremorit (dridhjes) përveç sëmundjes së Parkinsonit dhe kërkohet egzaminimi nga mjeku neurolog për të dalluar mes tyre. Kompleksi i simptomave të sëmundjes së Parkinsonit (tremor, rigiditeti, bradikinezia, instabiliteti postural) janë emërtuar si parkinsonizëm. Ky është një term i përgjithshëm dhe jo të gjithë pacientët me parkinsonizëm kanë sëmundjen e Parkinsonit. Në fillimet e hershme të sëmundjes mund të jetë e vështirë për të dalluar nëse është sëmundja e Parkinsonit, apo ndonjë e ngjashme me të. Zhvillimi i simptomave të mëtejshme dhe kursi i sëmundjes të çon në diagnozën korrekte.

Njohja e shkaqeve të tjera të parkinsonizmit

Shkaqet e parkinsonizmit janë të shumta. Në një studim në pacientët me parkinsonizëm 65% janë gjetur së kanë sëmundjen e Parkinsonit, 18% kanë parkinsonizëm të nxitur nga medikamentet, 7% kanë parkinsonizëm vaskular (dëmtim nga shkaqe të ndryshme të vazave të vogla që ushqejnë trurin me gjak) dhe 10% kanë parkinsonizëm atipik që dyshohet kur ka praninë e demencës, mospërgjigje ndaj mjekimit, progresion të shpejtë, mungesa të dridhjes etj. Në këto raste nevojitet vlerësimi i neurologut për gjetjen e diagnozës së saktë dhe mjekimit adekuat.

A trajtohet Parkinsoni dhe si?

Ka një numër medikamentesh efektivë që ndihmojnë në lehtësimin e simptomave të sëmundjes së Parkinsonit. Meqënëse shumica e simptomave janë të shkaktuara nga mungesa e dopaminës, medikamentet janë prodhuar për të zëvendësuar, ose për të mimetizuar dopaminën. Disa mjekime të reja premtojnë të ngadalësojnë progresionin e sëmundjes dhe të ndihmojnë kualitetin e jetesës së të sëmurëve. Por, për fat të keq, nuk ka mjekim që të shërojë plotësisht sëmundjen dhe terapia është individuale e hartohet për secilin pacient enkas.

Mjekimet që përshkruhen zakonisht

Levodopa: Modifikohet nga enzimat e trurit në dopaminë. Levodopa për mbi 30 vjet ka revolucionarizuar trajtimin e sëmundjes. Jepet bashkë me inhibitorë të enzimës amino-acid-dekarboksilazë që quhen pë­rkatësisht carbidopa dhe benseraside, në mënyrë që të shtohet sasia e levodopës që do arrijë në tru.
Dopaminë agonistet: Janë substanca që lidhen me receptorë të ndryshëm të dopaminës dhe ndihmojnë rrugët e saj.
Amantadina: Eshtë zbuluar për herë të parë si medikament antiviral. Rastësisht është gjetur se mund të ndihmojë dhe në trajtimin e sëmundjes së Parkinsonit. Mund të përdoret me levodopen ose me dopaminë agonistet.
COMT-inhibitorët: Efekti i tyre është mbi enzimën që ndan dopaminën. Me përdorimin e tyre sigurohet kohëzgjatje më e madhe e veprimit të dopaminës. Janë me përdorim të kufizuar për shkak të efektit toksik që kanë mbi mëlçinë.
Antikolinergjikët: Janë medikamente që përdoren për të reduktuar tremorin dhe rigiditetin. Përdoren zakonisht në kombinim me levodopen. Në pacientët e moshuar dhe me ndryshime konjitive duhen përdorur me kujdes sepse japin haluçinacione, konfuzion mendor dhe efekte të tjera anësore që nuk tolerohen mirë nga pacientët.
MAO-B inhibitorët: Janë inhibitorë të enzimës që ndan dopaminën dhe me përdorimin e tyre sigurohet një veprim më i gjatë i dopaminës në tru. Kanë efekt të lehtë edhe si antidepresiv dhe neuroprotektiv.

A është kirurgjia një alternative kurimi për sëmundjen e Parkinsonit?

Kirurgjia mund të lehtësojë simptomat e sëmundjes së Parkinsonit, por nuk shëron sëmundjen. Për shkak të risqeve të lidhura me kirurgjinë e trurit, ajo zakonisht konsiderohet vetëm kur është provuar trajtimi medikamentoz dhe ka indikacione të qarta për ndërhyrjen kirurgjikale. Kur konsiderohet kirurgjia duhet që edhe neurokirurgu dhe neurologu të jenë të specializuar për trajtimin e sëmundjes së Parkinsonit.

BOX
Si të kuptojmë që kemi të bëjmë me Parkinson?
Humbja e prodhimit të dopaminës në tru shkakton simptomat e hershme të sëmundjes së Parkinsonit, të cilat janë:
• Tremori i qetësisë (dridhja në qetësi)
• Rigiditeti (ngurtësimi, rritja e rezistencës
ndaj lëvizjeve pasive)
• Bradikinezia (ngadalësimi i lëvizjeve)
• Instabiliteti postural (balanca jo e mirë)

Kur njëra nga dy si­mpto­mat është e pranishme dhe veçanë­risht nëse janë më shumë evidente në njërën anë të trupit, diagnoza e sëmundjes së Pa­rkinsonit është më e mundshme, në­se nuk ka shenja që mund të sugjerojnë një dia­gnozë tjetër. Pacientët venë re që diçka nuk shkon mirë kur ndjejnë dridhje në një gjymtyrë, kur lëvizjet që dikur ishin të gjalla fillojnë të ngadalësohen, ose kur përjetojnë ngurtësim të anësive dhe mosmbajtjen mirë të balancës. Fillimisht simptomat janë variabël në kombinimet e tremorit, bradikinezisë dhe instabilitetit postural. Simptomat fillojnë në një pjesë të trupit dhe përhapen në pjesën tjetër me kalimin e kohës. Ndryshime ndodhin në ekspresionin facial (shprehje si maskë, pa emocion), ose shikimi si i fiksuar (nga ulja e frekuencës së pulitjes së qepallave), shtim i sekrecioneve orofaringeale (nga ulja e frekuencës së gëlltitjes), seborre (nga ulja e frekuencës së larjes). Meqë simptomat zhvillohen gradualisht, ato gabimisht mund t’i atribuohen ndryshimeve të moshës. Tremori mund të merret si dridhje e zakonshme e njerëzve të plakur, bradikinezia si ngadalësim normal i lëvizjeve dhe ngurtësimi zakonisht i atribuohet artritit. Qëndrimi i ngrirë i trupit, që është i zakonshëm në Parkinson, i atribuohet osteoporozës.
 


Kendi i komenteve
  • denis 09.06.2012 / 17:30
    pershendetje jam nje djal qe shqetsohem shum per kete semundje qe ka babai im nga parkensoni kete semundje babai ime e ka qe 14 vite si mund te me ndihmoni dhe te me thoni si qfar mund ti japim qe te haj ushqim sepse qe 2jav nuk ka henger fare ju lutem me ndimohni dhe me ktheni pergjigjjen ju lutem me respekt denisi
  • denis 09.06.2012 / 17:24
    hj
Emri:
Komenti:

 
Sqarim:
Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. Indeksonline mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit Indeksonline.

Ju faleminderit për mirëkuptimin!
  • Të fundit
  • Më të lexuara
  • Më të komentuara
Portali Indeksonline u themelua nga një grup gazetarësh kosovarë në vitin 2010. Përball sfidave të gazetarisë bashkëkohore, të motivuar nga nevoja për lajme të shpejta dhe origjinale, në Kosovë, ndër shqiptarë dhe për shqiptarët - Indeksonline nuk ishte veçse një kërkesë e kohës.

Materialet dhe informacionet mund të kopjohen, të shtypen dhe të përdoren por vetëm pas referimit të qartë të burimit të Portalit Indeksonline, në përputhje me kushtet e përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

© 2010-2014 Portali Indeksonline.