Duket pothuajse aq mirë për të qenë e vërtetë: një hidrocentral nëntokësor. Dhe kështu është, tha Jagoda Muniç e organizatës mjedisore Veprimi i Gjelbër në Kroaci. "Ky projekt është i çmendur".
Ideja u ëndërrua së pari nën komunizëm. Ballkani Perëndimor ka më shumë male gëlqerore se çdo rajon tjetër në botë. Në pranverë, kur shkrihet dëbora, pellgjet dhe liqenet dalin anembanë vendit. Pastaj, vjen maji, ai është sikur një dorë e padukshme heq tapën. Uji zhduket, duke ushqyer rrjedhat e lumenjtë nëntokësorë.
Shpesh. këta lumenj shfaqen shumë pranë detit. Kjo e bën të pamundur të ndërtohen hidrocentrale tradicionale. Kështu që pse të mos ndërtohen ata nën tokë?
Hidrocentrali i Omblës pranë Dubrovnikut është vendosur të bëhet një rast prove, nëse mbështetësit e projektit mund t'ia dalin pengesës së një studimi për ndikimin e mjedisit.
"Mundësia për prodhimin e elektricitetit në Ballkan është e madha," tha për SETimes Davorin Koliç, përfaqësues i Shoqatës Kroate për Tunelet dhe Strukturat Nëntokësore. "Greqia dhe Turqia kanë gjithashtu rezervuarë nëntokësorë ujorë."
Koliç theksoi se kërkohet kërkim i gjithanshëm për të identifikuar realizueshmërinë e një centrali nëntokësor në një zonë të veçantë. Në Dubrovnik ky studim gjeologjik nisi tre dekada më parë, tha ai.
Jagoda Muniç e Veprimit të Gjelbër tha se diçka tjetër duhet gjithashtu: një studim i gjithanshëm ndikimi në mjedis. Së bashku me OJQ të tjera kroate ajo paraqiti një ankesë në bankën Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, që ka financuar projektin me 123 milion euro, 80 përqind e kostos gjithsej.
Muniçi tha se edhe hidrocentralet tradicionale mund të dëmtojnë mjedisin, le më pastaj ato nëntokësore.
"Nuk e dimë se çdo të ndodhë nëse ndërton një digë në një shpellë," tha ajo. "Presioni i ujit pas saj do të rritet dhe çarje të reja mund të dalin në vende të ndryshme. Një projekt shumë i vogël po i ngjashëm në Bosnje shkaktoi një shkarje dheu në shpellë."
Çështja e shumëllojshmërisë biologjike mbetet e madhe. Më shumë se 40 përqind e Kroacisë është mbi gëlqerorë porozë, ku uji ka krijuar kaq shumë shpella sa që është praktikisht e pamundur të gërmosh një tunel pa ndeshur në një nga to. Këto shpella janë shtëpi për specie që nuk ekzistojnë askund në botë, të tilla si salamandra si iriq që ka këmbë, por jo sy.
"Vende të tjera mund të kenë fauna të pasur në pyjet tropikale, por në këtë zonë kemi morinë më të mirë të faunës së shpellave në botë," tha për BBC Jana Bedek, një biospeleologe.
Megjithatë, mbështetësit e projektit thonë se projekti nuk do të rrezikojë jetën në shpella. Diga 3.5 km e gjatë, 395 metra e lartë tashmë ekziston, tha Presidenti i ITA-së Zvonimir Sever. Për shkak të goditjeve tektonike, megjithatë çarjet janë hapur në pengesën e dolomitit përndryshe të papërshkueshme.
"Vetëm do të mbyllim këto çarje," tha ai.
Muniçi tha se procesi do të rrezikojë gjithashtu një pejzash të mbrojtur. "Do të bëjnë një rrugë për në majën e malit, do të shpojnë një vrimë në çdo tre metra e do ta mbushin atë me beton".
Sapo pengesa e dolomitit të bëhet e papërshkueshme, niveli i ujit prapa saj do të nisë të rritet e të mbushë një "sfungjer" të madh çarjesh e hapjesh të vogla pas saj. Uji do të kanalizohet në turbinat nëpërmjet një galerie vertikale, e cila do të jetë e fshehur e gjitha në shpellë, thanë përkrahësit. /Indeksonline/
|