Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme kanë emëruar sot Artan Mehmetin atasheun e parë tregtar të Kosovës në Bruksel. Gjatë një konference për media, ministrja, Mimoza Kusari-Lila tha se Qeveria e Kosovës prioritet e ka zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Ministria e Tregtisë gjatë këtij viti synon të emërojë atashe të tjerë ekonomikë në qendrat e rëndësishme ekonomike të Evropës dhe më gjerë.
Atasheu i parë tregtar do të jetë pikë kryesore në Drejtoratin e Tregtisë, në kuadër të Bashkimit Evropian, që ka të bëjë me raportet ekonomike dhe tregtare të Kosovës më Brukselin, tha Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila.
”Në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive të z.Mehemeti, do të jenë vënia e kontakteve dhe mbajtja e raportit të drejtpërdrejt të MTI-së me Drejtoratin e Tregtisë, shkëmbimi i informacioneve për kërkesa dhe standardet të cilat në duhet ti plotësojmë në raport me negocimin e marrëveshjes së tregtisë. Por gjithashtu për shkak se e shohim si të domosdoshme edhe promovimin e interesave ekonomike të Kosovës në Bruksel” , tha Kusari Lila.
I sapoemëruari Artan Mehmeti, tha se është i nderuar që ai është atasheu i parë i emëruar në ambasadën e Kosovës në Bruksel, e që beson se do të përfaqësojë në mënyrën më të mirë biznesin e vendit.
“Promovimi i bizneseve të Kosovës në prezencën në BE, është i një rëndësie të veçantë për ekonominë e Kosovës e sidomos gjatë marrëveshjes për tregti të lirë më BE-në“ , tha Mehmeti.
Mehmeti, do të fillojë punën që nga java e ardhshme, e që në ditët në vijim do të emërohen edhe atashe të tjerë në ambasadat e Kosovës, në vende të ndryshme, tha Ministrja Kusari Lila. /Indekonline/ |