Ndodheni
Indeksonline / Opinione
18:15 / E premte, 04 Janar 2013
2 Komente
Ku po e çon mushka lidershipin e Kosovës?
Shkruan: Nexhmedin Spahiu

Dëmi për imazhin e Kosovës si Perëndim i egër për investitorët është katastrofik, ndërsa imazhi për Kosovën që shqelmon aleatët më të mëdhenj të saj është vetëvrasës.

Dje gazeta më e madhe amerikane “New York Times” botoi artikullin e agjencisë më të madhe në botë Reuters me titull: “Kosova, imazh i Perëndimit të egër për investitorët” (http://www.nytimes.com/reuters/2012/12/31/world/europe/31reuters-kosovo-investment.html?smid=fb-share).

Artikulli bënë fjalë për atë që Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka tërhequr në mënyrë të paligjshme 4 nga 5 licencat sa i kishte dhënë kompanisë britanike “Fox Marble” për industrinë e gurit në Kosovë.
Artikulli lente mëdyshjen nëse kjo ka të bëjë me korrupsionin në Kosovë të cilin e trajton edhe me raste të tjera (tenderi me pasaportat biometrike) apo me prapavijë politike.

Ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff, citohet të ketë deklaruar se është shumë i shqetësuar për këtë dhe se shefi i tij, ministri i jashtëm britanik, William Hague, e ka ngritur këtë çështje në nivelet më të larta të Kosovës.
Artikulli trajton jo-seriozitetin kulmor të kryetarit të Komisionit të pavarur për miniera e minerale, Ahmet Tmava, i cili i përgjigjet Reutersit se obligimin ligjor qe ky komision e ka pasur që ta njoftojë me shkrim kompaninë e licencuar e ka kryer, duke e njoftuar atë gojarisht.

Deri më tani çdo veprim korruptiv që ka larguar investitorë nga Kosova është arsyetuar me kinse politikën që Kosova e ka për ta rezervuar tregun e saj për shtetet aleate që e çliruan Kosovën.

Skandali me rumunët
Kur, p.sh., një kompanie rumune i janë plaçkitur mjetet e punës nga partnerët kosovarë dhe kësisoj i është djegur investimi i saj milionësh, mos-reagimi i institucioneve të Kosovës është arsyetuar me atë se Rumania nuk po e njeh Republikën e Kosovës dhe punë e madhe që digjen investitorët rumunë.!

Skandali me sllovakët
Edhe kur Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës i nxjerr telashe banale Shefit të Zyrës Diplomatike Sllovake në Kosovë (de facto ambasadorit sllovak në Kosovë) edhe ky veprim skandaloz arsyetohet me atë se Sllovakia nuk e ka njohur Republikën e Kosovës dhe kush po ua varë sllovakëve!
Në vend që prezenca në Kosovë e misioneve diplomatike të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën të shfrytëzohet për afrim me këto vende dhe lobim për njohje edhe nga këto vende, veprohet në mënyrë të kundërt, veprohet në stilin e diplomacisë Zullu sipas tregimit të Faik Konicës.

Skandali me britanikët
Skandali i fundit i përket një fushe krejtësisht tjetër. Tani loja e fëlliqur korruptive apo politika abuzive bëhet ndaj një kompanie të një prej vendeve më meritore për çlirimin e Kosovës, Britanisë së Madhe, sa detyron edhe sekretarin (ministrin) e saj të jashtëm William Hague të shprehë shqetësim.
Shtrohet pyetja: Ku po e qon mushka lidershipin e Kosovës?. Kjo shprehje përdoret nga populli i Tiranës për dikë që nuk e di se kah është duke shkuar por i vihet pas tekeve të tij jo të arsyeshme.

Shkelmim aleatit të madh në momentin vendimtar
Skandali i fundit është gjëja që më së paku i duhet Kosovës në momentin kur Kosova është në fazën finale të bisedimeve me Serbinë. Në fakt, bisedimet për veriun e Kosovës nuk janë asgjë tjetër, pos pazar se deri në çmasë Kosova, formalisht e pavarur, do të jetë realisht e varur nga Serbia. Atëherë kur Kosovës i duhet t’i koncentrojë të gjitha energjitë që këtë pazar të kalojë sa më mirë e sa më lehtë, kur i duhet që edhe dreqin edhe të birin ta bëjë aleat për të nxjerrë një pazar sa më të favorshëm, Kosova shqelmon vendin, kryeqyteti i së cilit, Londra, është epiqendra e të gjitha pazareve politike në botë.

Tri kryeqytetet e botës: Stambolli, Parisi e Londra
Jo më kot thuhet se bota ka 3 kryeqytete: Stambollin që është pazari më i madh në botë i gjësendeve (veshmbathjeve, ushqimeve etj), Parisin që është pazari më i madh në botë i vlerave artistike, dhe Londrën ku bëhet pazari kryesor: ai politik, ku vendoset për fatet e kombeve.

Dhe lidershipi i Kosovës shqelmon hiq më pak se në Londër dhe e bënë Kosovën objekt të trajtimit negativ të agjencisë më të madhe në botë dhe gazetës më të madhe në Amerikë dhe shumë gazetave tjera në botë.

Varri për investitorët tragjedi për Kosovën
Shkrimi i lartcekur me të drejtë citon Christopher Gilbert-in, drejtuesin e kompanisë britanike “Fox Marble”, tek thotë se kjo punë është një varr për kompaninë e tij, por një tragjedi për Kosovën.

Fati i Trepçës
Duhet pasur parasysh që Kombinati “Trepça” nuk është privatizuar deri më tani pikërisht ngaqë ende nuk ka përfunduar çështja e veriut. Britanikët janë ata që e kanë nisur “Trepçën” në kohën mes dy luftërave botërore dhe interesimi i tyre për të vazhdon të jetë i lartë edhe sot.

Tani kur po vendoset fati i “Trepçës”, Veriut të Kosovës dhe më ketë i gjithë Kosovës, të shqelmosh britanikët për çfarëdo arsye: korruptive, budallallëku apo çfarë do tjetër është një vetëvrasje ekonomike e politike.

Epilogu i korrupsionit apo budallallëkut
Epilogu i këtij veprimi mund të jetë që kompania britanike ta padis Komisionin e Pavarur për Miniera e Minerale dhe t’ia marre nja 20-30 milionë euro. Apo mos ndokush shpreson se ky Komision ka juristë të aftë që ta fitojnë gjyqin kundër kompanisë britanike?! Por, për këtë si duket nuk mërzitet Ahmet Tmava, ngaqë ky ndëshkim paguhet jo nga xhepi i tij, por nga xhepi i taksapaguesve të Kosovës.

20-30 miliona euro ndëshkim mund të jenë fatura më e vogël për Kosovën për faktin që Ahmet Tmava e mentorët e tij “i kanë hipur mushkës”. Dëmi për imazhin e Kosovës si Perëndim i egër për investitorët është katastrofik, ndërsa imazhi për Kosovën që shqelmon aleatët më të mëdhenj të saj është vetëvrasës.
 

Kendi i komenteve
  • mitrovicalia 22.01.2013 / 11:51
    oo nexhmedin spahiu, nuk do te thote qe cdo here te huajt kane te drejt ata deri me tani kane funksionuar duke shkelur ligjin dhe rregullat e shtetit te Kosoves,Ahmet Tmava eshte nje njeri qe i njeh mjaft mire punet minerale te kosoves dhe mjaft mire e din se cfare eshte duke bere, sepse gjithe kete pune eshte duke e bere ne bashkpunim me faktorin nderkombetare dhe ate vendore.!!
  • Liridoni 06.01.2013 / 11:53
    Ne nje koment kam pas lexuar se "Nexhmedin Spahiu eshte Branko Merxhani i diteve tona". Pas ketij shkrimi plotesisht pajtohem me ate komentues.
Emri:
 
Komenti:

 
Sqarim:
Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. Indeksonline mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit Indeksonline.

Ju faleminderit për mirëkuptimin!
  • Të fundit
  • Më të lexuara
  • Më të komentuara
Portali Indeksonline u themelua nga një grup gazetarësh kosovarë në vitin 2010. Përball sfidave të gazetarisë bashkëkohore, të motivuar nga nevoja për lajme të shpejta dhe origjinale, në Kosovë, ndër shqiptarë dhe për shqiptarët - Indeksonline nuk ishte veçse një kërkesë e kohës.

Materialet dhe informacionet mund të kopjohen, të shtypen dhe të përdoren por vetëm pas referimit të qartë të burimit të Portalit Indeksonline, në përputhje me kushtet e përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

© 2010-2013 Portali Indeksonline.