Laert Vasili është një regjisor dhe aktor mjaft i njohur në Greqi, i cili është prezent me filma e shfaqje edhe në Tiranë. Po emri i tij nuk është lakuar shumë në mediat shqiptare. Të paktën jo përpara se në Athinë emri i tij të bëhej më i diskutuari në fund të vitit që lamë pas.
Ai dhe trupa e aktorëve që vendosën në skenë shfaqjen "Trupi i Krishtit" (Corpus Christi), aktualisht janë të akuzuar për blasfemi dhe nëse regjisori Vasili do të shpallet fajtor, ai rrezikon nga 2 deri në 5 vjet burg.

Vasili ka sqaruar arsyet pse kjo shfaqje ne Greqi nxiti reagimin e grupeve raciste.
"Duhet të bëjmë një analizë të thellë se çfarë po kalon shoqëria greke dhe grekët. Populli nuk ka më besim te qeveria, duke parë skandalet politike dhe ekonomike dhe ende drejtësia nuk po merr asnjë vendim, ndërkohë që duhej të ishin në burg dhe nga kjo populli i kthen sytë nga ekstremet. Partia fashite “Agimi i artë” bën çmos muajt e fundit që të shfrytëzojë çdo lloj evenimenti ku mund të përfshihen kamerat televizive për t’u bërë sa më të njohur. Shfaqja ime u shfrytëzua qëllimisht si nga grupet fondamentaliste jashtë kishtare, si edhe nga ekstremi i majtë Agimi i artë", ka thene ai per ''Mapo", duke shtuar:
"Nuk është e rastësishme që në padinë që më është bërë mua, padia të udhëhiqet nga Peshkopi i Pireut Serafin dhe tre deputetë të Partisë Fashiste. Unë duke shkelur dy nene që ekzistojnë në kodin penal grek rrezikoj 2-5 vjet burg''
"Unë besoj që njeriu duhet të jetë i lirë të shprehet dhe lirinë e fjalës e pengojnë vetëm format diktatoriale. Nëse disa grupe fetare të bashkuara me ato fashiste duan t’i vënë fre fjalës së lirë dhe artit, atëherë kalon në diktaturë, ka perfunduar Vasili. /Indeksonline/ |