Ndodheni
Indeksonline / Lajme
09:03 / E shtunë, 22 Qershor 2013
0 Komente
Shqipëri, sot heshtje zgjedhore, të dielën votimet

Partitë politike në Shqipëri mbrëmë i dhanë fund fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të së dielës.

Dita e shtunë është heshtje zgjedhore, ndërsa të dielën shqiptarët do të japin votën e tyre në qendrat e votimit që do të hapen nga ora 07.00 e mëngjesit.

Partitë politike mbrëmë përmes mitingjeve kryesore kanë mbyllur fushatën njëmujore, duke mbajtur tubimet qendrore në qendrat më të mëdha të vendit.

Partia Demokratike i dha fund fushatës me një miting në sheshin "Nënë Tereza" në Tiranë, ku më pas vijoi një koncert festiv.

Ndërsa Partia Socialiste mbylli fushatën në Shkodër dhe më pas në Vlorë. Partitë e tjera politike gjithashtu mbyllën fushatën përmes mitingjeve finalizuese dhe takimeve me qytetarët dhe forma të tjera të fushatës.

Në votimet e 23 qershorit gara kryesore do të zhvillohet midis dy koalicioneve politike, të djathtëve dhe të majtëve. Koalicioni i së majtës i quajtur “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” e udhëhequr nga Partia Socialiste tubon rreth 40 parti politike.

Ndërsa koalicioni ““Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” i udhëhequr nga PD tubon 24 parti politike.

Në garën zgjedhore janë edhe partitë e tjera politike LSI, FRD, Aleanca Kuq e Zi dhe partitë tjera më të vogla. Ndërsa kësaj gare i janë bashkëngjitur edhe deputetë të pavarur mes tyre politikanët e njohur si Arben Malaj, Nikollë Lesi, Dritan Prifti dhe emra tjerë në disa qarqe.

Këto janë zgjedhjet e teta parlamentare që nga demokratizimi dhe fillimi i pluralizmit politik në Shqipëri.

Gjithsej mbi 3.1 milion zgjedhës janë të regjistruar për votimet e 23 qershorit.

Për herë të dytë zbatohet sistemi zgjedhor proporcional-rajonal. Vendi është ndarë në 12 qarqe prej ku do të dalin 140 deputetët e parlamentit të ri.

Përveç vëzhguesve lokalë, rreth 550 vëzhgues ndërkombëtarë nga OSBE-ODIHR, Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian, NATO dhe BE do të ndjekin nga afër zgjedhjet.

Këto zgjedhje konsiderohen si një test i rëndësishëm për demokracinë në Shqipëri dhe integrimet evropiane. /Indeksonline/ 


Kendi i komenteve
Emri:
Komenti:

 
Sqarim:
Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. Indeksonline mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit Indeksonline.

Ju faleminderit për mirëkuptimin!
  • Të fundit
  • Më të lexuara
  • Më të komentuara
Portali Indeksonline u themelua nga një grup gazetarësh kosovarë në vitin 2010. Përball sfidave të gazetarisë bashkëkohore, të motivuar nga nevoja për lajme të shpejta dhe origjinale, në Kosovë, ndër shqiptarë dhe për shqiptarët - Indeksonline nuk ishte veçse një kërkesë e kohës.

Materialet dhe informacionet mund të kopjohen, të shtypen dhe të përdoren por vetëm pas referimit të qartë të burimit të Portalit Indeksonline, në përputhje me kushtet e përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

© 2010-2014 Portali Indeksonline.