Ndodheni
Indeksonline / Lajme
17:09 / E premte, 01 Shkurt 2013
1 Koment
Ende pa marrëveshje për punësim sezonal në BE

Autoritetet e Kosovës nuk kanë arritur të nënshkruajnë asnjë marrëveshje të re me ndonjë nga shtetet e BE-së për punësim sezonal të qytetarëve të vendit tonë. Deri më tani, Kosova ka të realizuar vetëm një marrëveshje për punësim sezonal me Gjermaninë, e arritur në vitin 2004.

Arritja e marrëveshjeve te reja për punësim sezonal, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, po has në vështirësi të mëdha. Njëra nga arsyet e mos realizimit të këtyre marrëveshjeve, siç thotë zëdhënësi i MMS-së, Behxhet Gaxhiqi, është kriza ekonomike në eurozonë.

“Kosova nuk është ende nënshkruese e marrëveshjes për stabilizim asociim, po ashtu edhe kriza ekonomike globale ka bërë që të mos mund të arrihet ndonjë marrëveshje e re. Dihet se shumë shtete të BE-së kanë probleme të mëdha me ulje të punësimit në vendet e tyre andaj edhe nuk janë të gatshme të marrin punëtorë nga Kosova”, thekson Gaxhiqi për Rel.

Mirëpo, njohës të rrethanave ekonomike kërkojnë më shumë angazhim institucional për arritjen e marrëveshjeve për punësim sezonal.

Profesori i ekonomisë, Isa Tahiri, thotë se punësimi sezonal do të lehtësonte jetesën e atyre që mund të punojnë për një kohë në një nga shtetet e BE-së.

“Studentët të cilët shkojnë dhe punojnë për një kohë në ndonjë shtet, mund të lehtësojë jetesën e tyre, por pa ndonjë marrëveshje të mirë dhe më numër më të madh të të punësuarve nuk mund të arrihet zbutja e papunësisë në Kosovë”, thotë Tahiri.

Marrëveshja me Gjermanisë, e cila mundëson punësim sezonal për studentë kosovarë, sipas Gaxhiqit, do të realizohet edhe në këtë vit.

Në vitin që lëmë pas, numri i studentëve të cilëve iu ishte mundësuar ky lloj punësimi në shtetin gjerman ka qenë 180. Këta studentë kanë punuar në sektorin e bujqësisë, në gastronomi, hoteleri dhe prodhimtari.

Gaxhiqi tregon se tani e kanë të gatshme edhe listën e profileve të profesioneve që ka Kosova.

“Realisht në listë ka profile të ndryshme. Ka teknikë mjekësorë. Por, në momentin kur do të mund të arrihet diçka konkrete, ne do t’i specifikojmë të gjitha kuadrot që mund t’i ofrojmë”, shprehet ai, duke shtuar se në momentin kur të arrihet ndonjë marrëveshje për punësim sezonal do të informohet publiku.

Në rezultatet e regjistrimit të popullsisë, ku tregohen edhe shifrat e papunësinë, thuhet se prej 508 mijë e 100 banorëve të aftë për punë, 44.9 për qind e tyre janë të papunë. Kosova ka 227 646 banorë të papunë, përderisa të punësuar konsiderohen 280 454 persona./Indeksonline/ 


Kendi i komenteve
  • MBH 02.02.2013 / 11:16
    Ne vend se te kerkoni qe vendet e BE te punesojne shtetasit tuaj ne pune sezonale shum me mire do te ishte sikur te gjithe ju ne qeveri te punonit me shume ne terheqje te investimeve ne Kosove, ku perveq punesimit do te kishit edhe dobi tjera te shumfishta. Sa i perket regjistrimit te popullates ju , une dhe tere Kosova e din se nuk eshte meritor dhe se nuk eshte kryer ne menyre profesionale, keshtu qe edhe te dhenat tuaja nuk mund te jene te verteta. Se per te ardhur deri te keto te dhena te papunesise ju se pari duhet ta rregulloni ligjin mbi punesim, ku secili punedhenes do te duhej patjeter te lajmeronte punetoret e tij. Te gjithe jemi deshmitare se mbi 60% te puneve qe kryhen ne Kosove jane nga tregu i zi dmth. ata qe te kryejne sherbimin nuk jane te lajmeruar se punojne!
Emri:
Komenti:

 
Sqarim:
Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. Indeksonline mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit Indeksonline.

Ju faleminderit për mirëkuptimin!
  • Të fundit
  • Më të lexuara
  • Më të komentuara
Portali Indeksonline u themelua nga një grup gazetarësh kosovarë në vitin 2010. Përball sfidave të gazetarisë bashkëkohore, të motivuar nga nevoja për lajme të shpejta dhe origjinale, në Kosovë, ndër shqiptarë dhe për shqiptarët - Indeksonline nuk ishte veçse një kërkesë e kohës.

Materialet dhe informacionet mund të kopjohen, të shtypen dhe të përdoren por vetëm pas referimit të qartë të burimit të Portalit Indeksonline, në përputhje me kushtet e përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

© 2010-2014 Portali Indeksonline.