(E plotësuar) Viktima H.Hyseni, 58-vjeç, nga Mitrovica, është vrarë me kallashnikov nga disa persona të dyshuar, të njohur për Policinë.
Burimet e Indeksonline brenda policisë, kanë deklaruar se viktima para se të vritej, kishte marrë disa kërcënime nga disa persona të njohur për të dhe menjëherë kishte lajmëruar rastin në polici duke kërkuar ndihmë.
Mirëpo, derisa policia kishte dalë në vendin e ngjarjes, të dyshuarit kishin kryer aktin e vrasjes së viktimës dhe kishin ikur në drejtim të panjohur.
Mësohet se vrasja është kryer për motive të hakmarrjes, pasi që djali i viktimës, ditë më parë kishte kryer një plagosje.
Indeksonline ka mësuar se për pak një predhë e kallashnikovit kishte goditur një pjesëtarë të policisë i cili ishte në hyrje të ndërtesës duke intervenuar në rast.
Policia ende nuk ka arritur të arrestojë askënd në lidhje me këtë rast./V.Krasniqi / Indeksonline/
----
H.Hyseni, rreth 58 vjeç nga Mitrovica është vrarë mbrëmë nga persona të panjohur në Mitrovicë. Vrasja ka ndodhur në orën 23 e 50 minuta.
Toger Besim Hoti, zëdhënës rajonal i Policisë në Mitrovicë ka deklaruar se vrasja është raportuar të ketë ndodhur disa minuta para mesnatës, ndërsa viktima H.Hyseni, rreth 58 vjeçar, ishte sulmuar me armë zjarri duke u plagosur në kokë, me ç’rast ka pranuar plagë vdekjeprurëse, dhe i njëjti është konfirmuar pa shenja jete, në vend të ngjarjes, përkatësisht në ballkonin e shtëpisë së tij, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”.
Hetuesit policor të drejtorisë rajonale të hetimeve në Mitrovicë së bashku me teknikët e kriminalistikës, nën udhëheqje të prokurorit publik, kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe inicimin e procedurave të rastit të vrasjes së rëndë.
“Së paku tri lokacione të ndryshme janë kontrolluar nga policia pak qaste pas rastit të vrasjes së raportuar ndërsa nuk është raportuar për persona të arrestuar deri në këto qaste”, ka thënë Hoti.
Hetuesit policor janë duke punuar në identifikimin e rrethanave të plota të rastit dhe ndërtimit të motivit të mundshëm.
Trupi i pajetë i viktimës, me urdhër të prokurorit publik, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion./Indeksonline/
|